Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi i është përgjigjur Kryeministrit Kurtit, duke i thënë se Qeveria ka thyer të gjitha rekordet për qeverisje të dobët, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Halimi thekson se është herë e parë që këtë vit ka pasur inflacion në produkte bazike.
“Kjo qeveri vërtetë mund t’i ketë thyer disa rekorde, mirëpo të gjitha për qeverisje të dobët. Për herë të parë si shtet, sivjet kemi pasur inflacion 20% në produkte bazike”, ka thënë Halimi.
Ajo gjithashtu ka numëruar edhe rekordet e dobëta të Qeverisë Kurti, siç shkruan se janë ato në energji, sulmet ndaj mediave e sindikatave.
“Edhe në energji, rekorde sa të duash: zero inciativa për të ndërtuar kapacitete prodhuese, zero kontrata për furnizim afatgjatë me rrymë; për të kulmuar me rekordin kryesor – terrin në verë. As investimet kapitale nuk i shpëtuan “thyerjes së rekordeve” – veç 9% shpenzim, pra 91% teprim të mjeteve. Ka pasur edhe rekorde të llojeve të tjera, si sulme të parreshtura ndaj mediave, e së fundmi edhe ndaj sindikatave”, ka shkruar tutje Halimi.
Sipas Halimit, Kryeministri Kurti e ka humbur kontaktin me qytetarët, e këta të fundit thotë se po ikin nga Kosova pasi nuk po e përballojnë dot jeteasën, thotë zëdhënësja e LDK-së.
“Kemi një kryeministër që e ka humbur kontaktin me bazën, me qytetarët; dhe bashkë me oborrtarët e tij po fluturojnë në retë e delirit të sukseseve imagjinare, teksa gjendja në terren është krejt tjetërfare. Kemi qytetarë që duan veç të ikin – të gjithë pa përjashtim, ngase nuk përballojnë jetesën e çdoditshme, pasi shteti i tyre i ka braktisur në plotni”, shkroi Halimi në Facebook.