Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, se ka bërë terrorizëm kulturor në RTK.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se veprimet e fundit të partisë në pushtet në RTK kanë qenë jo demokratike.
“Zbarkimi i VV-së (tash i paketuar si qverisje populiste) në RTK është i menduar gjatë dhe i bërë qëllimshëm. Nisja dhe synimi në thelb është autokratik – Ne dijmë, ne jemi të ndershëm, ne dhe vetëm ne kemi të drejtë të flasim. Ndaj opozitës kjo mendësi qeverisëse është përjashtuese – opozita nuk dijnë, ata janë hajna, ata janë tradhëtarë – kjo është qasje e pushtetarëve të sotëm tash e shumë vite e pandryshuar. Pushtimin jo vetëm kulturor të RTK-së e kanë bërë me bindjen se po e çlirojnë, që në të vërtetë është ripushtim populist kundër asaj që është e shenjtë – fjalës së lirë”, ka shkruar Abdullahu.
Sipas tij, kjo po bëhet sepse ata po i frikësohen fjalës së lirë.
“Këtë po e bëjnë sepse thjeshtë nuk janë në shpirt as në mendje demokratë. Këtë po e bëjnë sepse tash më kanë frikë nga fjala e lirë. Këtë po e bëjnë sepse po i nënçmojë të gjithë e më së shumti intelektualët dhe votuesit e tyre. Këtë po e bëjnë sepse kanë pajtu me marre”, ka shkruar ai.