Pak ditë pas arrestimit të dy personave në zonën e Yzberishtit dhe sekuestrimit të një depoje armësh që shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, Policia e Tiranës goditi një tjetër bazë.
Në pranga ra shtetasi E. P. (B), 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi në një tjetër ambient të marrë me qira në zonën e Liqenit të Thatë, policia gjeti 2 snajperë, 4 kallashnikovë, pistoleta me silenciator, kallëpe tritoli, paruke si dhe mjete për fshehjen e targave.
27-vjeçari sipas policisë kishte marrë me qira një garazh ndërsa të gjitha armët dhe sendet e tjera ishin fshehur aty.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 27-vjeçarit, policia gjeti dhe një pasaportë të falsifikuar.
Një javë më parë blutë gjetën një tjetër bazë armatimi në zonën e Yzberishtit ndërsa në pranga ra dhe një tornitor, i cili bënte prodhimin e silenciatorëve për armët, por edhe modifikimin e tyre.
Sipas policisë, shumica e armatimeve shkonin për grupet kriminale ndërsa armët janë dërguar në laboratorin shkencor për të mësuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. /Telegrafi/