Rrëzimi i qeverisë së kryeministrit bullgar Kiril Petkov, të mërkurën në mbrëmje, duket se rrëzoi dhe shpresat e vakëta të zgjuara gjatë ditës së sotme, për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit.
Opozita bullgare u deklarua në mbështetje të heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar qeverisë që të thërriste parlamentin për të marrë një vendim sipas propozimit francez, i cili i ofron garanci Sofjes për trajtimin në vijim të problemeve dypalëshe me Shkupin.
Vendimi i opozitës bullgare u përshëndet si një hap historik nga Komisionari për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se priste që qeveria t’i bëjë propozimin e nevojshëm parlamentit.
Kryeministri Kiril Petkov i qëndroi megjithatë linjës së zgjedhur, sipas së cilës çështja duhet të kalojë më parë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit bullgar, më pas në parlament e së fundmi në qeveri. Komisioni i jashtëm u mblodh pasdite, por pas më shumë se një orë diskutimesh, mbledhja u ndërpre, duke u shtyrë “për arsye teknike”.
Kreu i opozitës, ish kryeministri Boyko Borissov, përsëriti përmes një statusi në Twitter pasdite se mbështet propozimin francez për çështjen e Maqedonisë së Veriut dhe se partia e tij, GERB “do ta mbështesë këtë vendim nëse votohet. Të gjithë ata që janë të përfshirë, duhet të shohin pamjen e madhe – duke mbrojtur ekonominë dhe sigurinë tonë përmes zgjerimit. Uniteti ka rëndësi. Një BE e fortë ka rëndësi. Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë”, shkroi ai, pak orë para votimit në parlament të votëbesimit të qeverisë, pasi një prej partive anëtare të koalicionit u largua prej saj.
Kryeministri Petkov, nuk arriti të sigurojë mbështetje. Ishin 123 deputetë nga 240 që e përbëjnë parlamentin, të cilët votuan për rrëzimin e qeverisë. Kriza e hapur politike, nuk lë thuajse fare shpresa për një kthesë të Bullgarisë lidhur me veton ndaj Shkupit, nesër në mbledhjen e Këshillit evropian në Bruksel. Vetëm nëse parlamenti e trajton nesër jashtë rendit të ditës këtë çështje, pas kërkesës së opozitës.
Një ditë më parë udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, vunë në dyshim praninë e tyre në takimin e nesërm me drejtuesit e vendeve të Bashkimit Europian në shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së procesit të integrimit. Tirana dhe Shkupi po presin prej kohësh nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, të bllokuara nga vetoja e Bullgarisë, për shkak të disa pretendimeve të saj ndaj Shkupit.
Sinjalet e shpresës që u ndezën pas deklaratës së ish kryeministrit Borissov, u pritën me tone të përmbajtura nga kryeministri shqiptar Edi Rama. “Është shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka marrë peng dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës”, shkroi zoti Rama në Twitter, duke konfirmuar kështu pjesëmarrjen nesër në takimin në Bruksel. Një takim në të cilin ai thotë se “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar rreth nesh, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për marrjen tonë peng nga Bullgaria që shkatërron atë”.
Shqipëria është peng i dyfishtë i situatës mes Sofjes dhe Shkupit, duke qenë se vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me të, është trajtuar i lidhur me vendimin për Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se nëse nuk do të ketë një vendim pozitiv edhe këtë herë, ai do të kërkojë që rrugëtimi i Shqipërisë të ndahet nga ai i fqinjit të saj ballkanik.