Forca ushtarake shtesë kanë zbarkuar në Kosovë për t’iu bashkuar EULEX’it për të garantuar mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në Veri, pas tensioneve të fundit si pasojë e dorëheqjes së përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur mbrëmë përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Gjatë ditës së sotme edhe misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX) ka njoftuar se njësiti policor i tij në Kosovë është përforcuar me 23 xhandarë nga karabinierët italianë.
Ata janë anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR).
EULEX-i ka njoftuar se ata do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë pas situatës së krijuar në veri.
“NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti”.
NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë. NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme.
“Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj”, thuhet në njoftim.