Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se shpreson që të mos ketë tensione në veri të vendit më 1 shtator, kur hyn në fuqi vendimi për reciprocitet, por shtoi se ka indicie që edhe mund të ndodhë.
“Ne shpresojmë që nuk do të ketë tensione, besojmë që nuk ka arsye. Por, po ashtu ka indicie që edhe mund të ndodhin. Ne jemi të përgatitur të ballafaqohemi me çfarëdo lloj situate, insitucionet tona janë të pjekura, të forta dhe të gatshme që t’i dalin në krye çfarëdo detyre të ligjshme që ata marrin. Por, kemi edhe mbështetjen e pakursyer të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ai në “Klan News”, transmeton Reporteri.net.
I pyetur se indiciet i ka të dhëna nga terri apo nga ndërkombëtarët, Sveçla tha “të dyja bashkë”.
Ndërsa i pyetur se kush po i organizon ato, Sveçla tha se “drejtpërdrejtë Beogradi, Vuçiq, Vulin dhe strukturat paralele serbe”.
“Mund të vendosin barrikada, mund t’i sulmojnë institucionet e sigurisë, ashtu siç kanë bërë muajt e fundit”, tha Sveçla, dhe shtoi se “kemi të dhëna për përgatitje”.
Ai bëri të ditur se muajt e fundit për shkak të luftës së Qeverisë kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera në veri, 11 herë është sulmuar me armë policia e Kosovës.
Sveçla tha se institucionet e e Kosovës janë mjaftueshëm të forta të ballafaqohen me çfarëdo situate.
“Ne vërejmë elemente të Rusisë në Kosovë, kishim spiunë të Rusisë të hynin në Kosovë. Vërehen elemente të Rusisë në këto trazira që Serbia po i shkakton në Kosovë. Ne jemi të gatshëm të merremi edhe me ta”, tha ai.
Sveçla shtoi tutje se në veri për 23 vite ka sunduar krimi.
“Është një stabilitet shumë fragjil që cenohet nga strukturat paralele kriminale te udhëhequra nga Serbia e të influencura nga Rusia dhe vendosmëri e institucioneve të Kosovës të vendosin rend dhe ligj atje. Për 23 vite ajo (veriu) ka qenë një ‘El Dorado’, e krimit, ku jo vetëm që ka sunduar krimi, por struktura kriminale kanë udhëhequr me struktura atje”, tha Sveçla.
I pyetur se a ekziston mundësia që të shtyhet sërish vendimi për targat qoftë deri më 1 tetor, Sveçla ka mohuar kategorikisht këtë.
“Jo nuk ekziston ai opsion fare”, tha Sveçla.