Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”.
Në fjalimin e tij Walker ka thënë se bota vazhdon të përballet me tmerre si ato që kishin ndodhur në Reçak më 1999, shkruan Reporteri.net.
Walker përmendi këtu luftën në Ukrainë, duke thënë se kurajo, e guximi i forcave ukrainase i kujton UÇK-në dhe përpjekjet e tyre për mbrojtur familjet e tokën e tyre nga sulmet e okupatorit.
“Jam shumë krenar që më ndahet ky çmim sot. Duke qenë se nuk kam qenë këtu qe dy vite, nuk kisha mundësi të kuptoja se çfarë po ndodhte. Ngjarje e sfida të mëdha. Një qeveri e re erdhi. Udhëheqësi e re e këtij vendi me një parti relativisht të re dhe fakti që duhet të testohet ende që ta bëjë Kosovën një vend të më të mirë, dhe ne presim që këtë ta bëjë. Kanë ndodhur ngjarje në botë. Njerëzit në botë janë duke u përballur me shumë Reçaka çdo ditë dhe sinqerisht shpresoj që bota do të përpiqet të bëjë atë që është përpjekur ta bëjë këtu që të heqë qafe këta kriminelë. Kurajo, e guximi i forcave ukrainase mu kujton aq shumë UÇK-në për atë çfarë është bërë këtu, në përpjekje për të mbrojtur familjet e tokën e tyre nga sulmet e forcave serbe. Jam i nderuar që jam sot këtu dhe ju sugjeroj juve dhe të gjitha gjeneratave të reja që të jenë idealistë kosovarë, të fokusoheni në botën e vërtetë dhe të largoheni nga varësia që e keni me botën virtuale. Kam frikë se do të merrni shumë keqinformime nga bota virtuale, kryesisht propagandë. Kaq njerëz të rëndësishëm janë mbledhur këtu për të më nderuar për të vërtetën e Reçakut që e kam thënë më 1999. E çmoj këtë pa masë” tha Walker në fjalimin e tij.
Walker po qëndron në Kosovë në prag të përvjetorit të masakrës së Reçakut, ku u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë.
Walker kishte vizituar zonën një ditë pas masakrës dhe lajmi për të, i hapi rrugën bombardimeve të NATOS-së duke vënë Kosovën në vëmendje ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 11 janarit, miratoi vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për promovimin e librit “Reçaku” të ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker. /