Një ditë pas deklaratës së tij çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të zgjidhet më urgjentisht, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Për takimin ka njoftuar Vuçiq, i cili ka thënë se janë pajtuar me Hill që formimi i Asociacionit është çështje urgjente.
“E informova ambasadorin Hill për raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel. U pajtuam që formimi urgjent i Bashkësisë së Komunave Serbe është i një rëndësie prioritare, por edhe se duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.
Hill dje tha se Kosova dhe Serbia në takimin në Bruksel treguan janë “shumë seriozë për të ecur përpara” dhe se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të zgjidhet më urgjentisht.
“Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe ka disa arsye për këtë, njëra prej tyre është se çështja ekziston për 10 vjet, dhe së dyti, mendoj se nëse fillojmë me të, njerëzit (serbët në Kosovë) do të kthehen në institucione. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të qetësojmë të gjithë situatën, sepse është e nevojshme”, tha Hill për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”. /Reporteri.net/