Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar mbrëmë me serbët nga Kosova.
Ai tha se është koha që “serbët si komb të tregojnë seriozitet dhe përgjegjësi”.
“Janë serbët tanë nga Kosova, ne vetëm kërkuam që të jenë të kujdesshëm dhe të qetë, të ruajnë paqen, të ruajnë stabilitetin dhe t’i përgjigjen arrogancës së të tjerëve ashtu siç përgjigjen gjithmonë njerëzit e denjë”.
“Ne vetëm duam të mbrojmë veten tonë, dhe asgjë më shumë. Kështu që jam i sigurt se do të tregojmë pjekuri si komb dhe se do t’i ruajmë vatrat tona”, tha Vuçiq në një video të postuar në Instagram, shkruan B92.
Ky takim i Vuçiqit vjen pasi të hënën nuk është arritur një marrëveshje për targat në Bruskel, pas takimeve që zgjatën për gati tetë orë, ku i pranishëm ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.