E vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është dialogu në ndërmjetësimin e BE-së, i tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kongresmenit amerikan, Michael Turner, raporton gazeta online “Reporteri.net”.
Vuçiç i tha kongresmenit amerikan se “Serbia po bën përpjekje të mëdha për dialog” derisa fajësoi Kosovën për, siç tha ai, “lëvizje të njëanshme të autoriteteve atje”.
Në anën tjetër, sipas komunikatës së presidencës për takimin mes Vuçiç dhe Turner, thuhet se ky i fundit “e çmoi shumë lidershipin e presidentit serb” si dhe “rezultatet mbresëlënëse ekonomike të Serbisë”.
“Gjithashtu Turner lavdëroi inicaitivën e Open Balkans si iniciativë të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik”, thuhet në komunikatë.
Vuçiç dhe Turner deklaruan se bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ohajos i jep një shtysë të fortë marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet Serbisë dhe ShBA-së, thotë njoftimi.
Turner është një anëtar i lartë i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ka shërbyer më parë si republikan kryesor i nënkomitetit të Forcave Ajrore dhe Tokësore Taktike, si dhe nënkomitetit të Forcave Strategjike.
Nënkomitetet mbikëqyrin programet e blerjes së Ushtrisë dhe Forcave Ajrore, të gjitha programet e aviacionit të Marinës dhe Trupave Detare, armët bërthamore, mbrojtjen raketore dhe sistemet hapësinore.