Një vajzë 10-vjeçare është arrestuar në Orlando, Florida, të martën, pasi autoritetet thonë se qëlloi për vdekje me armë një grua që po debatonte me të ëmën e saj.
Kryeprokurorja e qytetit, Monique H. Worrell, tha se në ngritjen e akuzës do të merren parasysh të gjitha rrethanat, përfshi edhe mosha e autores së vrasjes. “Ky është incidenti më tragjik që kam parë në karrierën time 22-vjeçare”, tha worrell.
Policia e Orlandos tha se edhe mamaja e vogëlushes është arrestuar. Dëshmitarët i thanë policisë se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 30 majit, kur mamaja e fëmijës dhe viktima, Lashun Denise Rodgers, 41 vjeç, nisën të debatonin në oborrin e një pallati.
Fëmija ishte me të ëmën në momentin e debatit. Sipas dëshmive, ishte mamaja që nisi të konfrontohej fizikisht me viktimën. I dashuri i saj i tha autoriteteve se ishte përpjekur të ndante dy gratë, por ato ishin përleshur sërish. Më pas ai pa fëmijën me një armë në dorë, me të cilën qëlloi “një ose dy plumba” në drejtim të viktimës./A2CNN