Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi dje në Cetinë të Malit të Zi ku një 34 vjeçar ka vrarë disa të tjera, para se të vritej nga policia.
Osmani ka shkruar se Kosova qëndron me Malin e Zi në këto momente të pikëllimit dhe iu uroi shërim të shpejtë të lënduarve.
“E pikëlluar nga lajmi për të shtënat masive sot në Cetinje të Malit të Zi. Duke dërguar ngushëllimet më të sinqerta për Presidentin Gjukanoviq, familjeve që humbën të dashurit e tyre u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Ne qëndrojmë me popullin e Malit të Zi në këtë moment pikëllimi”, ka shkruar Osmani në Tëitter.
Dyshohet që burri me iniciale V.B ka vrarë disa persona në Cetinë dhe më pas është vrarë. Siç mësoi Vijesti, ai ka qëlluar disa persona në afërsi të vendbanimit të tij.
Ky medium, duke cituar burime nga policia dhe prokuroria, raportoi se të paktën 10 persona janë vrarë, katër persona janë transportuar në Qendrën Klinike dhe se mes të vdekurve ka edhe të mitur.
Të shtënat kanë ndodhur pak pas orës 16:00 në afërsi të ndërtesës së Qeverisë dhe mes të plagosurve është edhe një polic i cili është transportuar në Qendrën Klinike dhe gjendja e tij është stabile.
Pas lajmit për të shtënat ka reaguar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili tha se Mali i Zi nuk mban mend një tragjedi të tillë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Malit të Zi që të jenë me familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit e tyre, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Cetinës”, tha Abazoviq në Telegram.