Marrëveshja e nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në Washington DC, është ratifikuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Nga 89 deputetë të pranishëm në Kuvendin e Kosovës, të gjithë deputetët kanë votuar pro kësaj marrëveshje, transmeton lajmi.net.
Kjo marrëveshje është nënshkruar mbrëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe përfaqësuesja e MCC-së, Alice Albright kanë nënshkruar marrëveshjen nga e cila Kosova fiton miliona dollarë grant.
Mbi 236.7 milionë dollarë do të investohen në Kosovë,në kuadër të energjisë, transmeton lajmi.net.
Kjo marrëveshje është parë si një nga investimet më të mëdha të bëra në Kosovë pasluftës.
Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vjen pas përmbylljes së suksesshme të negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së.
Presidentja Osmani vlerësoi se marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, është investimi më i madh energjetik.
Osmani tha po ashtu se sot, SHBA-të, përmes MCC-së, rikonfirmuan mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe gatishmërinë për ta ndihmuar dhe avancuar më tej në aspektin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e brendshëm”, theksoi Osmani.
Ndërkaq, shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, ka theksuar se ky nënshkrim përfaqëson vazhdimin e një partneriteti të thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, dhe përkushtimin tonë për të punuar së bashku për të ndërtuar zgjidhje moderne, të energjisë së pastër nga të cilat do të përfitojnë afro 2 milionë kosovarë.
Albright foli edhe për uljen e kostos milionëshe të shpenzimit për vitin e parë.
“Duke rritur qëndrueshmërinë e energjisë elektrike, kur të hynë në funksion projekti i depozitimit të energjisë, do të ulë koston për 19 milionë dollarë, vetëm në vitin e parë. Po ashtu ky projekt do të ofroj edhe programe trajnimi për të ofruar shkathtësi që kërkohen nga punëdhënësit dhe për të ndërtuar një fuqi punëtore… Shtetet e Bashkuara janë shumë janë krenare që janë partnere me Kosovën për t’i mbështetur ata në këtë kohë kur kjo kërkesë është në presion”, tha ajo.
Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi se ky do të jetë investimi më i madh dhe më inovativ i sektorit të energjisë në Kosovë deri më sot.
Programi Kompakt përfshinë tri projekte: Investime në infrastrukturën e ruajtjes së energjisë, Zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.
Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës