Ish-politikani Azem Vllasi është i mendimit që Kosova s’duhet të heqë dorë nga vendimet e saj për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Për më tepër, Vllasi s’po e sheh si çështje shumë të madhe shtyrjen e këtij vendimi, por thotë se me rëndësi është që të gjendet zgjidhja.
“Nuk është e thënë që të ndodhë pas 29 ditëve. Një zgjidhje me rëndësi është të gjendet. Duhet Brukseli dhe aleatët perëndimorë të luajnë rolin e ndërmjetësuesit në këtë çështje. Që nuk vjen te një marrëveshje nuk është kiameti të shtyhet edhe pak. Kosova duhet ta ushtrojë pushtetin në tërësi në tërë territorin e saj. A do të arrihet marrëveshja brenda 29 ditëve apo të shtyhet edhe pak nuk është kiamet. Por, nuk duhet hequr dorë nga parimi i reciprocitetit. Serbia është ajo që duhet të sillet ndryshe. Në kalimin kufitar duhet të heqë dorë nga dhënia e asaj cope letre për qytetarët e Kosovës apo të pajtohet me reciprocitet”, ka thënë Vllasi në KTV.
Avokati Vllasi ka thënë se shteti serb po sillet sikurse në vitin 1987 me manipulime e dezinformata dhe se ngjarjet në veri po ia kujtojnë këtë.