Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka vizituar sot Kuvendin e Kosovës ku po mbahej seanca e radhës plenare.
Vizita e Krasniqit në Kuvend nuk i ka ikur kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili e ka përshëndetur ish-deputeten duke i uruar mirëseardhje për rikthimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan lajmi.net.
“Faleminderit që ke ardhur. Je gjithmonë e mirëpritur”, ka thënë Konjufca.
Falënderimi ndaj Krasniqit ka pasuar me duartrokitjet e deputetëve që ishin prezent në Kuvend, të cilët janë ngritur në këmbë në shenjë respekti ndaj ish-deputetes.
Konjufca ka falënderuar Krasniqin edhe për guximin që ka shpërfaqur për të rrëfyer përjetimet e saja gjatë viteve të luftës.
Kujtojmë se Krasniqi është gruaja e parë e cila ka rrëfyer publikisht për dhunimin nga forcat serbe gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Ajo kishte nxitur një numër të madh grash dhe burrash të rrëfejnë historitë e tyre.