Deputeti i VV-së, Visar Korenica ka konfirmuar se është shkarkuar nga pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Korenica ka thënë se është shkarkuar nga kjo pozitë për shkak të qëndrimit të tij për projekt-kodin civil.
“Po, është e vërtetë. Jam shkarkuar për shkak të qëndrimit tim për projekt-kodin civil”, ka thënë Korenica për Nacionalen.
Ditë më parë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se Projektkodi Civil shumë shpejt do të procedohet për votim në Kuvend. Ajo u shpreh e bindur kësaj radhe ky Projektkod do të kalojë.
“Projektkodin Civil shumë shpejt do ta procedojmë në Kuvend, dhe kësaj radhe do të kaloj në Kuvend sepse është një dokument i rëndësishëm”, kishte thënë Haxhiu ditë më parë në një adresim për gazetarë.
Disa nga deputetët e VV-së, që kanë votuar kundër këtij Projektkodi, ditë më parë kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se qëndrimet e tyre mbeten të njëjta, në rast se përmbajtja e projektkodit vazhdon të jetë e njëjtë dhe nëse nuk përmban ndryshimet e kërkuara.
Në mars të këtij viti Kuvendi i Kosovës nuk e kaloi në lexim të parë Projektkodin Civil.
Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë./