Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-, i konsideron të dyja palët njëlloj fajtore për vonesën e negociatave dhe nënshkrimit në procesin e dialogut Kosovë- Serbi.
“E di që është më e lehtë të fajësohet (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq, por ai e kupton që e ardhmja e Serbisë nuk do të jetë në Rusi apo Pekin. Njerëzit e tij nuk do të studiojnë apo blejnë në Moskë. Shumica e të rinjve serbë e shohin të ardhmen e tyre në pjesën perëndimore të Evropës”, tha ajo, raporton agjencia kroate e lajmeve “Hinta”, përcjell portali rtv21.tv
“Por Prishtina nuk i lehtëson gjërat dhe nuk ndihmuan aspak duke u thënë të gjithëve para takimit në Ohër se nuk do të pajtoheshin me asgjë si Asociacioni i Komunave me shumcë Serbe . Unë mendoj se faji është, për fat të keq, i ndërsjellë”, u tha von Cramon-Taubadel gazetarëve kroatë në Bruksel.
Do të ishte shumë më e lehtë nëse Prishtina do të përgatiste në mënyrë proaktive nënshkrimin e zbatimit, tha von Cramon-Taubadel.
Von Cramon-Taubadel tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti me siguri do të ofrojë ndonjë propozim për zbatimin e Asociacionit, por pyetja është se sa serioz do të jetë propozimi dhe nëse do të përfshijë mendimin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i vendit.
“Kjo nuk do të thotë se me shumë gjasa do të shohim një zgjidhje për të gjithë dialogun së shpejti”, shtoi ajo.
“Pala kosovare duhet të kuptojë se një kompromis është në interes të popullit të saj dhe se është i nevojshëm për të ardhmen e gjeneratës së ardhshme, tha ajo.
“Nëse nuk gjejmë një kompromis nga të dyja palët, nuk do të shohim përparim të rëndësishëm në integrimin evropian apo stabilizimin e rajonit”, tha ajo.
“Për mua nuk ka dyshim, ne duhet ta mbrojmë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë që të respektohet ajo që u nënshkrua në Bruksel në vitin 2013”, përfundoi ajo./21Media