Një person ka humbur jetën në Viti, pasi që i njëjti është goditur nga një traktor. Kështu ka njoftuar sot policia përmes raportit 24 orësh.
Lidhur me këtë rast zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Telegrafin se viktima ishte i mitur.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Viti me datën 19.10.2022 nga Emergjenca e Spitalit Rajonal Gjilan ka pranuar një informatë se aty është dërguar një i mitur me lëndime të rënda trupore. Njësitet Policore relevante i janë përgjigjur rastit ku nga hetimet e para kanë kuptuar se i dyshuari kosovar shqiptar Sh.B. (1998) në oborrin e shtëpisë së tij gjatë manovrimit me traktor dyshohet se ka goditur të viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë Hashani.
Ai ka shtuar se viktima pas pranimit të tretmanit mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal Gjilan është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë QKUK, ku edhe përkundër ndihmës së dhënë nga ana e personelit mjekësor për shkak të lëndimeve trupore nga mjeku është konfirmuar se ka ndërruar jetë.
“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rrethanat se si ka ndodhur rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit janë duke u hetuar nga Njësisë i Hetimeve Rajonale Gjilan”, ka thënë Hashani.