Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë paralajmëruar sërish protestë në rast se nuk ndryshohet ligji për pagën minimale.
Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, sekretari organizativ i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku.
“Është koha të përmirësohet ky gabim diskriminues në ligjin për pagën minimale, dhe u japim kohë që deri në lexim të dytë ta përmirësojnë këtë gabim. Nëse kjo nuk ndryshon atëherë ne sot paralajmërojmë protestë në ditën kur do të mbahet seanca e Kuvendit për shqyrtim lexim të dytë të ligjit për pagën minimale”, u shpreh Klinaku.
Klinaku gjithashtu bëri të ditur se sikurse nuk e kanë pranuar okupimin, ashtu nuk do ta pranojmë as diskriminimin e as politizimin e çështjes së veteranëve.
“Në takim me kryeministrin nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët. Kurti vazhdon të insistoj në qëndrimet e tij diskriminuese me tendencë politizuese dhe nuk plotësoj kërkesën tonë që është jo diskiminim të veteranëve me pagën minimale”, tha Klinaku. /Telegrafi/