Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, me ç’rast një 49 vjeçar ka vdekur, njofton Policia e Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Babaj Bokës, në rrugën Gjakovë-Ponoshec.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Sheremet Elezaj nga policia në Gjakovë.
Sipas Elezajt bazuar në hetimet e para dyshohet se viktima, nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe me automjetin e tij është vetaksidentuar.
Sipas tij trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Sot reth orës 06:00 policia është njoftuar për aksident trafiku në fshatin Babaj Bokës (rruga Gjakovë-Ponoshec). Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe ambulanca ka dalë në vendngjarje ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një personi mashkull/kosovar lindur në vitin 1973. Bazuar në hetimet e para dyshohet se viktima, duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës me automjetin e tij është vetaksidentuar. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit me vendimin e të cilit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, pohoi Elezaj për Telegrafin.