Nga e hëna ka hyrë në fuqi vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e qarkullimit të trotineteve elektrikë, biçikletave dhe motoçikletave elektrike në sheshe dhe në të gjitha hapësirat publike ku ka frekuentim të lartë të këmbësorëve.
Megjithatë, si nëpër sheshe ashtu edhe nëpër trotuare, në rrugët në qendër të Prishtinës është parë se kanë qarkulluar trotinete, përkundër vendimit për ndalimin e tyre.
Ka kohë që qarkullimi i qytetarëve me trotinete elektrike nëpër sheshe dhe hapësira të frekuentuara nga këmbësorët, është bërë shqetësim për qytetarët. Për këtë, Komuna e Prishtinës nga e hëna ka ndaluar qarkullimin e tyre nëpër sheshe. Florian Dushi, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ka sqaruar për Radio Kosovën se si po zbatohet vendimi i Komunës së Prishtinës.
“Për gjoba nuk mund t’ju them asgjë në këtë moment, por gjithsesi që ka mjaft shumë raste që kemi të raportuara në Drejtorinë e Inspeksionit për të cilat inspektorët e rendit komunal që kanë hasur dhe i kanë ndaluar dhe larguar të njëjtit prej shesheve”, tha Dushi.
Ndonëse konsiderohet se e kanë lehtësuar transportin rrugor, trotinetet elektrikë kanë shënuar rritje të aksidenteve të cilat nuk kanë qenë të lehta ka thënë zëdhënësi i Policisë se Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Aksidentet që kanë ndodhur me trotinet elektrikë, në Policinë e Kosovës nga 1 janari deri me 31 korrik janë raportuar 30 aksidente. Vlen të ceket që numri i aksidenteve dhe incidenteve me këto mjete është me i madh, mirëpo Policia e Kosovës është lajmëruar për 30 raste të tilla e të cilat i ka trajtuar”, tha Krasniqi.
Edhe pse nuk dihet ende sa do të jetë gjoba për ata të cilët nuk e respektojnë vendimin e komunës, zyrtarët komunalë kanë thënë se po punojnë për hartimin e një rregulloreje që rregullon këtë çështje, e cila shumë shpejt pritet të dalë në dëgjim publik.