Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka vazhduar edhe sot aksionin e nisur në zonën e Brezovicës.
Sipas njoftimit për media, Prokuroria në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensisë Kadastrale të Kosovës, edhe sot ka vazhduar operacioni për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës, shkruan lajmi.net.
“Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aksioni i sotëm është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës. /