Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim me Emisarin Special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim të Kurtit me Lajçak është biseduar qasja konstruktive e Kosovës në dialogun e Brukselit, parimet, vlerat dhe synimin e tij. Sigurisht te pjesa e konstruktivitetit, kryeministri kosovar ka pasur shumë çka të thotë, shkruan lajmi.net.
Ai është zotuar tek Lajçak se do të zbatojë udhërrëfyesin e energjisë sipas marrëveshjeve 2013 dhe 2015 dhe ka theksuar angazhimin e qeverisë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajčák folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit.”, thuhet në njoftim.
Por, për të njëjtën marrëveshje, Lëvizja Vetëvendosje dikur shkruanin se e “legalizon ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë dhe pamundëson unifikimin me Shqipërinë.” Madje në këtë komunikatë, përmendej edhe “ElektroServer”, pikërisht kompania që u licensua për të operuar në veri.
“Duke folur për paraqitjen e “ElektroServer” si palë midis KOSTT dhe KEDS, ai tha se me këtë rast “ElektroServer” dallohet pakrahasimisht nga “operatorët komercial të thjeshtë” (siç i quan Qeveria). “ElektroServer do të jetë pjesë konstituive e sistemit energjetik të Kosovës, sipas marrëveshjes së nënshkruar. KEDS dhe “ElektroServer” do të kenë monopol në dy pjesë të ndryshme të Kosovës”, tha ndër të tjera Hoxha, duke theksuar zbatimi i kësaj marrëveshjeje legalizon ndërhyrjen e plotë të Serbisë brenda sistemit energjetik të Kosovës.”, thuhej në komunikatë.
Lidhur me këtë marrëveshje, tash nga qeveria i kanë ndryshuar goxha fjalët. Ndonëse ende edhe pse e kanë nënshkruaj e cilësojnë si të keqe, ata e kanë cilësuar edhe si të mirë, si normale, e sa e sa epitete të tjera.
“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka noddhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Iber”, tha Kurti në një deklaratë të tij për këtë marrëveshje.
Në anën tjetër, për të njëjtën marrëveshje thuhej gjithashtu se pamundëson unifikimin me Shqipërinë, por duket se kjo nuk është më shqetësim i kryeministrit Kurti, pasi ai tashmë është kryeministër dhe jo opozitar kritikues.
Për këtë marrëveshje u deklarua edhe zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi. Ndonëse nuk e kishte shumë të qartë nëse kjo marrëveshje ishte e mirë apo e keqe, normale apo jo-normale, ai foli për të.
Në një deklarim për RTK-në nga Brukseli, Bislimi deklaroi se marrëveshja në fillim ishte e keqe, por tha se aktualisht nuk është e keqe, nuk e quajti as të mirë, por normale.
Madje tha se VV nuk e quajti këtë marrëveshje të mirë, por që implementimi i saj në kohën kur është nënshkruar ishte i dëmshëm.
“Marrëveshjen ne nuk e kemi pranuar. Marrëveshja është aty. Problemi ka qenë që marrëveshja kur është nënshkruar ka qenë e keqe dhe e kemi thënë publikisht dhe e kemi kundërshtuar për arsye se në momentin kur e negocion, ke hapësirë për negocim dhe mendojmë se ka qenë marrëveshje e dëmshme, mirëpo implementimi i saj ka qenë edhe më i dëmshëm. Ajo që ne kemi bërë me udhërrëfimin e sotëm është se e kemi kthyer situatën në normalitet, por pa thënë që marrëveshja është e mirë”, tha Bislimi, siç citohet pikë e presje nga Radio Televizioni i Kosovës.
Mbetet të shihet, nëse dikush, njohës i mirë i gjuhës shqipe, apo dikush nga VV, apo vet Bislimi do ta sqarojnë se çfarë ka dashtur të thotë numri 2 në Qeverinë Kurti.
Megjithatë, ende nuk dihet se cili është qëndrimi i tanishëm i VV-së, a mendojnë ende se kjo marrëveshje legalizon ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë dhe e pamundëson unifikimin me Shqipërinë.