Medikamentin e njëjtë mund ta gjeni me çmime të ndryshme në Kosovë, varësisht barnatores ku shkoni.
Nurofeni, për shembull, në njërën nga barnatoret në Prishtinë që ka vizituar REL kushton 3.30 euro, ndërsa në një tjetër pranë saj shitet për 3.60 euro.
Ky medikament, që përdoret për trajtim të inflamacionit, dhimbjeve e temperaturës, shitet pa recetë të mjekut.
Çmimin e tij dhe të të gjitha produkteve tjera farmaceutike në Kosovë e caktojnë vetë barnatoret. Për unifikimin e tyre në treg nuk ka ndonjë mekanizëm – së paku tash për tash.
Në vitin 2019, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nxjerrë një udhëzim administrativ, me qëllim përcaktimin dhe rregullimin e çmimit të barnave, për shitje me pakicë dhe shumicë.
Por, ky udhëzim nuk është zbatuar kurrë dhe Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë arsyetim.
Në interesimin e REL, nga kjo ministri kanë thënë se kanë iniciuar Projektligjin për çmimin e barnave dhe produkteve medicinale, të cilin, së shpejti, do ta dërgojnë për miratim në Qeveri.
“Ministria e Shëndetësisë pret që ligji gjithsesi të miratohet sivjet dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit konkret”, thuhet në deklaratë.
Aty, po ashtu, shpjegohet se çmimet e produkteve medicinale do të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve të jashtme referente. Kjo nënkupton që do të merren për bazë çmimet e produktit të caktuar në një apo më shumë vende të tjera.
Të ngarkuar për rregullimin e çmimeve do të jenë: Komisioni për Çmime të Produkteve Medicinale, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Oda e Farmacistëve, Fondi i Sigurimeve dhe anëtarë vëzhgues nga shoqëria civile.
Por, derisa në projektligjin e Ministrisë së Shëndetësisë është duke u punuar, në Kuvendin e Kosovës pritet të dalë të enjten në shqyrtim një projektligj tjetër me qëllim të ngjashëm, por i iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës – subjekti më i madh opozitar.
Blerta Deliu Kodra, deputete nga kjo parti, konfirmon se projektligji do të dalë në shqyrtim të parë në seancën e 28 korrikut.
“Balancimi i tregut të produkteve medicinale është interes i Kosovës, që prek qytetarët dhe ekonomitë e tyre”, thotë ajo.
Projektligji i iniciuar nga PDK-ja parasheh çmimin maksimal të blerjes së produkteve medicinale nga Lista e Barnave Esenciale.
Kjo është një listë që përmban qindra produkte për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka përditësuar atë për herë të fundit në vitin 2019.
Në memorandumin shpjegues të projektligjit të iniciuar nga PDK-ja thuhet se, në mungesë të rregullimit të çmimit të barnave, buxheti i shtetit dhe qytetarët, për vite me radhë, janë dëmtuar duke paguar produkte më shtrenjtë se vlera e tyre.
Sipas këtij memorandumi, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët janë dëmtuar financiarisht, duke shpenzuar rreth 10 milionë euro më shumë në vit për barna.
Në një raport që ka publikuar Instituti Demokratik i Kosovës më 26 korrik, është thënë se Ministria e Shëndetësisë e ka paguar rreth 280 për qind më shtrenjtë produktin paracetamol 1 gr për injeksion, në krahasim me vlerën në tregun me pakicë.
Sipas raportit, ky produkt në tregun me pakicë shitet për rreth 1.00 euro për njësi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka paguar 3.80 euro.
Ministria e Shëndetësisë nuk e ka komentuar raportin.
Në vitin 2018, ky institucion ka ndërprerë një sërë kontratash për furnizim me barna të institucioneve publike shëndetësore, duke i cilësuar ato si “abuzive”, për faktin se, siç është thënë, barnat janë blerë me çmim më të lartë se vlera në treg.
Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.