Konsumi i karburanteve në Shqipëri vijoi tkurrjen edhe në korrik, ndërsa të dhënat e ditëve të para të muajit gusht tregojnë se tendenca rënëse është thelluar.
Sipas të dhënave nga Doganat, në korrik u importuan 53.4 mijë ton karburante, me një rënie prej 11 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke zbritur pothuajse në nivelin e vitit 2020, kur vendi po vuante nga pasojat e kufizimeve për shkak të pandemisë.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohon se përgjithësisht në këtë periudhë pritej që importet të rriteshin edhe me 2 mijë ton (rreth 3-5 për qind më shumë), por ato kanë rënë realisht me gati 7 mijë ton.
Sipas Shoqatës, arsyeja kryesore e rënies së konsumit të karburanteve në vend lidhet me makinat që vijnë nga rajoni për turizëm, të cilët ishin një nga faktorët kryesorë që ndikonin rritjen në sezonin e verës. Tashmë për shkak të diferencës së lartë në çmim, me rreth 30-60 lekë për litër, asnjë makinë me targa nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Malit të Zi që iu afrohet stacioneve shqiptare të karburanteve.
Ndërsa makinat e rajonit kanë ndikuar në 60 për qind të rënies, pjesa tjetër sipas Shoqatës lidhet me frenimin e lëvizjeve të brendshme për qëllime turistike, apo që kanë reduktuar qarkullimin për shkak të çmimeve të larta. Ndërsa konsumi i përhershëm minimal, sipas Shoqatës është në nivele pothuajse të pandryshuara.
Rënia pritet të thellohet në gusht
Sipas të dhënave paraprake nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, tendenca e ditëve të para të gushtit tregon se rënia do të thellohet.
Në pesë ditët e para të gushtit konsumi ka rënë me 3.6 mijë ton, ndërsa nëse vazhdohet me këtë ritëm, tkurrja mujore mund të jetë -15 mijë ton. Në gusht të vitit të kaluar, sipas Doganave, importet e karburanteve kishin arritur rekordin e 68.6 mijë ton.
Arsyet vijojnë të mbeten të njëjta si në korrik. “Korriku dhe gushti gjithnjë arrijnë kulmin e konsumit dhe në një pjesë të madhe kjo vjen nga rajoni. Por, tani diferenca në çmim për një litër ka arritur në 30 deri në ne 58 lekë nga Mali i Zi në Maqedoni”, tha Shoqata. Kjo diferencë lidhet me taksat e larta që ka mbi naftën vendase, teksa përveç taksave kryesore si TVSH e qarkullimi janë dhe shumë të tjera që “askush” në botë nuk i ka”.
Që prej fillimit të marsi, çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm në vend, duke kulmuar në 265 lekë në mes të muajit qershor, si rrjedhojë e shtrenjtimit në bursa. Aktualisht nafta po tregtohet me 217 lekë për litër, ose 13 për qind më shumë se në shkurt.
Që në mars, kur filloi shtrenjtimi, konsumi reflektoi tkurrjen. Për 6 mujorin e parë të vitit, importet e karburanteve kanë rënë me 9.2 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Vetëm për 5 mujorin mars-korrik, tkurrja është 14.5 për qind.