Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministri Denys Shmyhal dhe kryetari i parlamentit Ruslan Stefanchuk kanë nënshkruar një deklaratë mbi synimin e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, shkruan BBC.
Zelensky tha se deklarata e tyre e përbashkët ishte një “sinjal i unitetit të të gjitha degëve të pushtetit” dhe dëshmi se Ukraina ishte e vendosur për tu anëtarësuar në BE. Presidenti shtoi se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit nuk duhet të zgjasë vite apo dekada.
Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se anëtarësimi në BE ishte “brenda mundësive” për Ukrainën, por i kërkoi vendit të përmirësojë reformat kundër korrupsionit.
Ukraina aplikoi për anëtarësimin në BE vetëm pesë ditë pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt dhe blloku 27 anëtarësh pranoi kandidaturën më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje. Por procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite.