Asociacioni i Komunave sot do të padis Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë për kontratat kolektive.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se më 23 gusht, komunat do ta padisin Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë, pasi janë dëmtuar me mbi 35 milionë euro.
Kjo për shkak se niveli qendror kishte nënshkruar kontratën kolektive, derisa barra financiare iu kishte vendosur komunave.
Komunave, sipas tij, iu ka dal problem mjaft i madh me zbatimin e kontratës kolektive. Kjo pasi qeveria ka detyruar që ajo të zbatohet me para të komunave.
“Më 23 gusht përfaqësuesit ligjor dhe juridik të komunave të Republikës së Kosovës, do të deponojnë padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, komunat janë mobilizuar dhe të gjitha së bashku të martën do ta deponojmë padinë. Në bazë të analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës, vlerësohet se dëmi i cili i është shkaktuar komunave me zbatimin e kontratave kolektive duke iu marrë mjetet financiare komunave, është mbi 35 milionë euro dhe ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë përsëri që këto mjete t’iu barten komunave në mënyrë që projektet kapitale, të cilat janë të parapara të zbatohen me këto mjete financiare dhe të gjejnë zbatim. Pra, të gjitha këto mjete financiare shkojnë drejtpërdrejt në dobi të qytetarit. Ju janë marrë padrejtësisht komunave sepse kontratat janë nënshkruar nga niveli qendror, kurse barra financiare i ka rënë komunave”, ka deklaruar ai.