Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, ka caktuar përbërjen e trupit gjykues, pas njoftimit nga gjykatësi i procedurës paraprake se dosja e çështjes ndaj Pjetër Shalës do të jetë gati për t’i kaluar trupit gjykues me 21 shtator.
Trupi gjykues do të përbëhet nga gjyqtarët si në vijim: Roland Dekkers, Mappie Veldt-Foglia, Gilbert Bitti dhe Vladimir Mikula, i cili do të jetë gjyqtar rezervë.
Ndryshe, ky trup gjykues ka në gjykim edhe çështjen ndaj Salih Mustafës, e cila u shpall e përfunduar më 15 shtator dhe trupi gjykues u tërhoq për të kuvenduar për vendimin.
Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë