Agjenti special i strukturës amerikane anti-drogë, DEA, Brendan Leddy ka mbërritur sot në Shqipëri. Lajmin e bën me dije ambasada amerikane në Tiranë e cila shkruan se agjenti special dhe ekipi i DEA-s amerikane do të bashkëpunojnë me SPAK për të forcuar bashkëpunimin në operacionet kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar.
Agjenti Leddy është pritur në ambasadën amerikane nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim.
“Ambasada e SHBA ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy. Ambasadorja Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA-s në Shqipëri.
Agjenti Special Leddy së bashku me personelin shtesë të DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë të zbatimit të ligjit për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar. Agjenti Special Leddy do të mbështesë më tej ndërtimin e aftësive në teknikat e hetimit kundër narkotikëve”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.