Tottenham duket se po i nënshtrohet një revolucioni në këtë merkato teksa drejtuesit janë duke u munduar të përshtasin organikën sipas nevojave të trajnerit Antonio Conte.
Italiani synon objektiva madhorë në sezonin e ri, ndaj drejtori sportiv, Fabio Paratici kapërfunduar me sukses transferimin e mbrojtësit të krahut të djathtë Djed Spence.
Mbrojtësi i datëlindjes 2000 vjen nga klubi i Middlesbrough për shumën e 12.5 milionë sterlinave plus bonuset në bazë të performancës në fushë teksa Spence ka firmosur një kontratë e cila është e vlefshme deri në vitin 2027.
Sa i takon karrierës ndërkombëtare, 21-vjeçari ka qenë pjesë e Anglisë U21 dhe debutimin me fanellën e “3 Luanëve” e ka bërë pikërisht në një ndeshje në Elbasan Arena ndaj Shqipërisë U21 në muajin mars të vitit 2021 ndërsa ka kontribuar në kualifikimin e kombëtares për europianin U21 që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Tashmë, Spence e pret një nga eksperiencat më të rëndësishme në karrierë nën urdhrat e një trajneri si Antonio Conte. Mbrojtësi është shndërruar në transferimin e gjashtë për Tottenham në këtë merkato teksa Spurs më herët kanë transferuar Forster, Perisic, Bissouma, Lenglet dhe Richarlison.