Me qellim të parandalimit të pasojave në Institucionet edukativo-arsimore rreth lojës së rrezikshme që po qarkullon në rrjetin social Tik-Tok “Sfida, thyerja e kafkës”, me miratim të Drejtorive Komunale të Arsimit të tri komunave: Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, policia ka filluar realizimin e ligjëratave informuese në Institucionet edukativo-arsimore.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Ligjëratat janë duke u realizuar nëpër shkollat e mesme të ulëta në të tri komunat me qellim që nxënësit të informohen rreth pasojave nga loja “Sfida, thyerja e kafkës”.
Me ligjëratat informuese do të vazhdohet edhe gjatë ditëve në vijim me synim të vetëdijesimit të nxënësve rreth pasojave të këtyre lojërave të rrezikshme në rrjetet sociale dhe efektet negative që shkaktojnë te nxënësit.
Gjithashtu synohet që përmes këtyre ligjëratave nxënësit të marrin njohuri, udhëzime dhe këshilla rreth masave të sigurisë në rrjetet sociale, në përdorimin e sigurt të internetit dhe krijimin e një ambientit të sigurt në të gjitha shkollat e rajonit të Mitrovicës.