Tanja Fajon, ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, ka njoftuar se do të zhvillojë një vizitë në Kosovë dhe në Serbi në fund të dhjetorit.
Ajo ka thënë edhe se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për mesazhe pozitive nga ana e Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.
“Kishte një mirëkuptim të madh midis ministrave të jashtëm të BE-së se Ballkani Perëndimor nuk duhet të harrohet, veçanërisht në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe sfidave të reja të sigurisë që ekzistojnë në rajon”, ka thënë Fajon pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Ajo ka deklaruar edhe se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me sfida, duke theksuar edhe se disa ministra nga ana e BE-së, kanë kërkuar nga Serbia t’i vendos sanksione Rusisë.
“Disa ministra kanë theksuar se Serbia duhet t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, ka thënë Fajon.
Ndër mesazhet që do të ishin pozitive, siç ka thënë Fajon, është ai i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.