Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.
Në takim thuhet të jetë diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani po ashtu ka theksuar se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm.
“Presidentja Osmani ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë. Tutje, Presidentja Osmani foli mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.”, thuhet në njoftimin për mdeia.
Presidentja Osmani dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajčák folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë./Lajmi.net/