Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka vlerësuar arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
Sipas Ramës, Kurti nuk duhet akuzuar për tradhti apo harresë, por duhet mirëkuptuar, pasi ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap me rëndësi për të ardhmen.
“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!”, shkruan kreu i Qeverisë në llogarinë e tij në Twitter.
Një ditë pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka dhënë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësit. Sipas komunikatës së Qeverisë, Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por se nënshkrimi është refuzuar nga Serbia.
Njoftimi thekson se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Aty thuhet po ashtu se edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit. /