Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencë për medie të martën, tha se ekzekutivi ka gënjyer 80 mijë zyrtarë publikë, duke mos e përfshirë Projektligjin për paga në buxhetin për vitin e ardhshëm.
Andaj, ai tha se do të adresojnë një amendament në kuadër të Projektligjit për buxhetin për ngritjen e pagave deri në 30 për qind për sektorin publik.
Sipas tij me mospërfshirjen në buxhet të Ligjit të pagave, Qeveria e Kosovës, i ka gënjyer të punësuarit në sektorin publik.
“Qeveria e Kosoves i ka gënjy gjithë zyrtarët publikë, duke ju thënë se do sjell Ligjin e Pagave, dhe duke mos vendosur në zbatim Ligjin e Pagave. E kanë luajtur një lojë të ulët, duke i mashtru rreth 80 mijë punëtorë të zyrtarëve publikë tash e sa kohë. Nga analizimi i buxhetit shohim se as që bëhet fjalë për rritjen e pagave në sektorin publik”, është shprehur Tahiri.
“Kërkesë e jona për Qeverinë është një amandament, ku do të kërkohet rritja lineare e pagave për së paku 30%, deri në miratim të Ligjit të Pagave, përpos zyrtarëve që janë të zgjedhur politikisht, ka shtuar ai.
Ndërkaq, deputeti Pal Lekaj ka shtuar se në buxhetin për vitin 2023, nuk parashihet askund rritja e pagave.
“Asnjë ngritje e pagave nuk është, nuk ka ngritje të pagave për shërbyesit shëndetësorë, për infermierët, për mësimdhënësit, për policinë e asnjë kategori. Me amandamentin e propozuar, do kerkojme rritjën e pagave prej 30% për gjithë punëtorët e sektorit publikë. Përndryshe nëse Qeveria prapë nuk vepron, po e shihni se në çfarë gjendje jemi, e shohim me çfarë inflacioni po përballemi. Ky propozim është i përballueshem për Qeverinë, andaj shpresoj qe do të hasim në mirëkuptim”, ka thënë Lekaj.