Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media ka thënë se “secili veprim të cilin e ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen e targave e që respekton sovranitetin e vendit, e ka përkrahjen e kësaj partie”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Tahiri gjithashtu tha se është e rëndësishme që të ketë edhe koordinim me ShBA-në, mirëpo ky koordinim duhet të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Kosovës.
“Secili veprim i Qeverisë së Republikës së Kosovës që do të ndërmerret në raport me Republikën e Serbisë, padyshim që është shumë e rëndësishme që të koordinohet me ShBA-në, mirëpo mbi të gjitha, më e rëndësishmja është që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetin e Kosovës. Nuk mund të lejohet pafundësisht shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi të cilin e ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës, që respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim që ka përkrahjen e PDK-së”, tha Tahiri.
Sot, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.
Këto Kurti e ka bërë të ditur në një adresim para gazetarëve.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, tha Kurti.