Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për media për rrëzimin e ligjit për KPK-në nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se gjatë procedimit të këtij ligji kanë pasur diskutime që i njëjti është antikushtetues.
“Kemi pasur një debat jashtëzakonisht të gjatë dhe i kemi kërkuar ministres së Drejtësisë dhe Kryeministrit që ky Projektligj të tërhiqet sepse kështu si i tillë nuk i përmbush standardet kushtetuese”, ka thënë Tahiri.
Tahiri për rrëzimin e këtij ligji është shprehur se është një lajm i mirë për drejtësinë në Kosovë, duke shtuar se çfarë kanë bërë në të kaluarën me Këshillin Prokurorial ka qenë e kundërta çfarë ka bërë LVV-ja.
“Ne si grup parlamentar e vlersojmë lartë një vendim të tillë dhe angazhimi i punës së Prokurorit të Shtetit si institucion i pavarur, i pandikuar nga politika është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e një demokracie tranzicionale siç është vendi ynë”, ka theksuar Tahiri.
“Si grup parlamentar i PDK-së do të vazhdojmë të punojmë, do të vazhdojmë të angazhohemi për mbrojtjen e Kushtetueshmërisë në vend dhe moslejimin e kapjeve të këtyre institucioneve mjaftë të rëndësishme të drejtësisë nga pushteti i madh që tashmë është i koncentruar në duart e Albin Kurtit”, ka potencuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.