Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, ka thënë se nëse Qeveria nuk reflekton sa i përket zhvillimit ekonomik dhe kryeministri e ministrat flasin vetëm rreth politikës, atëherë, ky do të jetë vit i kapitullimit ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në kurthin e diskutimit politik dhe dialogut dhe në neglizhencën totale të jetës, të ekonomisë, të mirëqenies dhe të jetës sociale.
“Shumë politikë, pak ekonomi. Pak jetë e shumë politikë. Është e papranueshme që i gjithë diskursi politik dhe vendimet në Qeveri të lidhen me politikën e larta dhe asnjë veprim serioz të mos jetë në dobi të qytetarëve. Është e pakuptimtë që politika dhe temat e larta të kthehen në qëllim në vete të Qeverisë”, ka theksuar Tahiri.
Sipas tij inflacioni në gjithë botën ka rënë e në Kosovës është rritur.
“Kjo vjen si rrjedhojë e neglizhencës totale dhe injorimit të ekonomisë dhe politikave që e injorojnë shtetin në këtë aspekt … Njerëzit që janë në punë janë bërë njësoj raste sociale për shkak që nuk ka as ngritje të pagave e as një veprim a subvencionim që e forcon ekonominë”, ka theksuar Tahiri.
“Po ju jap vetëm një shembull çka ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Rruga Tetovë-Strugë-Qafëthanë dhe rruga Prilep-Manastir, është nënshkruar me kompaninë ‘Becht Elenka’ për 1. 3 miliardë euro, Qeveria e ka bërë një rrugë 3 metra në Istog, kthjelluni”, është shprehur Tahiri.
Ai ka folur edhe për tri lajme që ka thënë se janë dëshpëruese.
“E para ka të bëjë me paralajmërimin e rritjes se rrymës për 14 për qind. E dyta ka të bëjë me tatimit në pronë dhe e treta lidhet me sektorin publik dhe më Ligjin e pagave, 10 mijë njerëz janë gëzuar e 70 mijë të tjerë janë të dëshpëruar”, është shprehur Tahiri.