Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Abelard Tahiri po e konsideron qeverinë aktuale si të dështuar. Këtë cilësim ai e bën pas dështimit të futjes në agjendë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Përmes një postimi në Facebook Tahiri tha se deklaratat nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk mund ta fshehin faktin që sipas tij, Qeveria e Kosovës ka dështuar për ta futur në agjendën e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas Tahirit, dështimi i Qeverisë për ta ndërtuar një kohezion të qëndrueshëm dhe kordinim adekuat me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, është një ndër dështimet kapitale në 20 vitet e fundit.
Postimi i plotë:
Është fakt i kryer që Qeveria e Kosovës ka dështuar të vejë në agjendë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe këtë fakt nuk mund ta fshehin deklaratat politike të MPJ-së, ku në mes tjerash, iu tregohet vendeve anëtare të Këshillit se kushtëzimet qenkan të padrejta e jashtë rregullave të Këshillit. Nuk ka kurrfarë kushtëzimi. Ka thjeshtë dështim nga mos koordinimi.
Pra, ajo çfarë para dy vitesh ka nisur si degradim i gjithanshëm në politikën e jashtme të Kosovës, tash po prodhon edhe efekte konkrete. Dështimi i qeverisë për të ndërtuar një kohezion të qëndrueshëm dhe koordinim adekuat me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, është një ndër dështimet kapitale në 20 vitet e fundit. Aq më tepër, në një rrethanë ku kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës nuk janë më pjesë e këtij Këshilli, si dhe kur një atmosferë e unitetit përballë aksit të së keqes po mbretëron nëpër Evropë, humbja e këtij shansi është e pafalshme.
Për shkak të kësaj gjendje anemike në politikën e jashtme, sot, partnerët që na kanë ndihmuar në bërjen e shtetit, janë skeptik nëse vetë shteti ynë e ka të qartë se në çfarë rruge ka marrë drejtim. A se shteti ynë ka mbetur pa drejtim të qartë e pa ide se cilën rrugë duhet ndjekur, kjo tash është dukshme si drita. Ky është dështim më së paku i Ministres Gërvalla, e më së shumti i binomit Osmani-Kurti.