Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, duke thënë se në të njëjtën ditë e moment ka folur për Asociacionin kur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq është duke e bërë të njëjtën gjë në parlamentin serbë.
Tahiri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka thënë se nuk e din nëse është rastësi apo sinkronizim deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit, për të njëjtën temë.
“Nuk e di a është rastësi apo e sinkronizuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurtit, mirëpo tash Vuçiq po raportohet në media duke e mbajt një seancë për Kosovën në parlamentin e Serbisë. Në të njëjtën kohë kryeministri na jep një lajm që e shtinë Kosovën në një drejtim të ri. Pra Kosova e drejtuar nga qeveria Kurti e cila do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Kjo ditë duket të jetë një koordinim të mirë me presidentin Vuçiq, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtën moment janë duke dhënë lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marr kjo marrëveshje”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, Kurti ka bërë një kthese dhe ndryshim drastik sa i përket qëndrimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Prandaj, gjithë ato çështje të tjera janë më pak të rëndësishme. Ajo çka është e rëndësishme është ndryshimi drastik, jashtëzakonisht i madh i kryeministrit Kurti në drejtimin e vendit tonë”, tha ai.
Tahiri po ashtu tregoi se pak para fillimit të seancës përfaqësues të shumicës në vend e kanë pyetur nëse është për Zajednicën apo jo.
“Para pak çastesh përfaqësuesi i mazhorancës para fillimit të seancës na pyeti ‘ a jeni për Zajednic?’. Kësaj pyetje iu përgjigj Kurti me drejtimin e ri që i ka dhënë. Vërtet kjo ditë shënon një momentum të rëndësishëm, në anën tjetër na thanë që më 9 shtator e keni pranu draftin. Kjo është e papranueshme se në gjithë këtë periudhë ne nuk kemi diskutu asgjë nga 9 shtatori. Duhet të jeni më transparent…”, ka thënë Tahiri