Kuvendi i Kosovës ka filluar sot seancën e parë në vitin 2023. Në këtë seancë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë.
Tahiri gjatë fjalës së tij në Kuvend kishte theksuar se nuk do ta votojë Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve përderisa ai prezantohet nga ministrja e dënuar.
“Sa i përket efikasiteti të këtij kuvendi sot po e fillojmë sesionin e ri pranveror me seancën e shtatorit që ka qenë seanca parë e sesionit vjeshtor. Sa i përket shqyrtimit të këtij projektligji, ai është mjaft i rëndësishëm, por që u prezantua nga një ministre që është e dënuar për fshehje të pasurisë. Kjo e bën të cenueshëm këtë ligj. Për ne është e papranueshme të vazhdojë të rrijë në sallë një person i cili e fsheh pasurinë. Asnjëherë në Kuvend nuk ka pasur ministër që ka qenë në detyrë dhe që ka qenë i dënuar për mosdeklarim të pasurisë. Këtë standard po e vendos Qeveria Kurti. Ju kërkoj të bëni presion te kryeministri që kjo ministre të shkarkohet”, është shprehur Tahiri./