Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka treguar se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave.
Ai tha se ka kërkuar që Kuvendi përmes kryetarit të tij, t’i adresohet edhe presidencës çeke dhe gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare me një kërkesë të thjeshtë që lidhet me një mosvendim për liberalizimin për qytetarët e Kosovës, që siç tha ai, është diskriminim klasik.
“Çfarëdo sistemi të cilin e aplikon BE për vendet e tjera anëtare të shëngenit mund të hyjë në fuqi edhe për Kosovën pasi të liberalizohen vizat. Heshtja e Kuvendit s’është e drejt, heshtja jonë s’i bën hair as nder Kosovës”, tha ai ndër të tjera, njofton Klankosova.tv.
Poashtu, Tahiri njoftoi se ka ngritur edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me reformat pensionale.
Ai tha se AAK-ja s’do të mbështet asnjë reformë nëse nuk votohet ligji që është propozuar nga deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj, dikur i ngritur nga Teuta Haxhiu.
“E që lidhet me personat të cilëve nuk ju njihet stazhi për një ditë. Ka punëtorë në arsim, shëndetësi e polici, që nuk i njihet stazhi për një ditë dhe humbin të drejtën e pensionit. Kjo është e pakuptimtë dhe kërkova një mbështetje nga VV dhe shumica, shpresoj që kjo çështje do të adresohet”, u shpreh Tahiri.