Sipas Shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, AAK do ta ketë rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë, nëse do të ketë zgjedhje.
Madje, ai vlerësoi se puna e tyre e madhe nuk u vlerësua aq sa duhet, por sipas tij, populli i Kosovës ishte i lodhur që 20 vite me qeveritë e kaluara.
“Unë jam i bindur që Aleanca do të ketë rezultatin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë. Kemi punuar shumë për një rezultat i cili ka qenë më i dobëti. Ajo që dua ta them tash, është që njerëzit kanë dashur ta shohin një gjeneratë të re, kanë dashur ta shohin Albin Kurtin, jo për shkak të programit të tij, sepse nuk ka program, jo për shkak të njerëzve të tij, sepse nuk ka ekip, jo për shkak se ndonjëherë ka bërë argat të madh për vendin. Por, për shkak se ishin të lodhur që 20 vite”, potencoi Tahiri në Tëvë1.
Më tej, Tahiri përmendi faktin se AAK ka udhëhequr Qeverinë për vetëm 16 muaj.
“Por, fatkeqësisht, Aleanca hyri me PDK-në dhe Nismën dhe e mori etiketën e tëra qeverive”, u shpreh tutje Tahiri.