Zyra e Bashkimit Evropian, në kuadër të aktiviteteve në shënimin e Ditës së Evropës, ka organizuar Panairin e shkathtësive në sheshin “Skënderbeu”, në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Në këtë panair janë shpalosur projekte dhe programe të BE-së, si dhe janë promovuar disa shkolla të mesme profesionale.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomas Szunyog, ka treguar se i njëjti panair po mbahet edhe në Mitrovicën Veriore, ndërsa do të mbahet gjatë së enjtes edhe në Gjakovë dhe Prizren.
Szunyog ka cilësuar rininë e Kosovës si një ndër asetet më të mëdha, me ç’rast tha se duke i zhvilluar aftësitë ata, zhvillohet ekonomia e vendit.
“Panairi i sotëm që po mbahet në Prishtinë, është duke u mbajtur edhe në Mitrovicën e Veriut, ndërsa nesër do të mbahet edhe në Prizren dhe Gjakovë”.
“Qëllimi i panairit është promovimi i shkathtësive të buta. Kosova ka një potencial të madh. Jo vetëm që është një vend i ri, por është një vend me popullatë të re. Andaj, rinia e saj me zhvillimin e këtyre shkathtësive mund ta zhvillojë vendin ekonomikisht”.
Ndërsa, dy nxënës nga shkolla profesionale Gjin Gazulli në Prishtinë, kanë treguar punimet e tyre.
Kreshnik Mustafa, ka punuar ueb sajtin e kësaj shkolle si dhe ka shpalosur drejtimet e reja që tashmë janë në kuadër të shkollës.
Olt Mehmeti, po ashtu nga kjo shkollë, ka promovuar lojë e tij, e bazuar në lojën e famshme “Flappy Bird”, me disa modifikime, raporton EO.
Enea Bejta, studente e Qendrës së Kompetencës në Skenderaj, ka shpalosur disa punime të nxënësve të kësaj shkolle, nga degët e arkitekturës, elektrikes, metalikes, zdrukthëtarisë dhe dizajnit.