Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla të shtunën së bashku me zëvendësministrin Bardhyl Dobra kanë realizuar një vizitë të rregullt në komunat veriore të Kosovës.
Ata me këtë rast janë takuar me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe KFOR-in, nga të cilët janë informuar se situata në këto komuna është e qetë dhe stabile.
“Nga kjo vizitë, ne pamë nga afër se ata suksesshëm po përmbushin detyrat e tyre në zbatimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe ofrimin e një stabiliteti të qëndrueshëm si qëllim yni i përbashkët. Angazhimi i tyre i përditshëm në ofrimin e sigurisë dhe vendosjen e ligjshmërisë janë edhe lehtësim por edhe garanci për një jetesë më të mirë të banorëve të kësaj zone”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët pa dallim, në përputhje me ligjet në fuqi.
“Do të jemi zbatues të vendimeve të drejta dhe ligjore të cilat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ndër të tjera, në video dëgjohet ministri Sveçla teksa ua mbanë një fjalim patriotik policëve të Kosovës duke iu thënë se veriu është tokë e Kosovës dhe me asnjë çmim “nuk do të lëshohet”.