Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka takuar sot në Bruksel komisioneren evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson, të cilën e ka falënderuar për rikonfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët e saj.
“Komisionerja e BE për Punë të Brendshme Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër te procesit ekzistues deri në kompletimin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Sveçla në një status në Facebook.
Posimi i tij i plotë:
Kisha kënaqësinë që të takoj në Bruksel Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson.
Shpreha falënderimin tonë për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Republika e Kosovës ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë.
Komisionerja e BE për Punë të Brendshme Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër te procesit ekzistues deri në kompletimin e Liberalizimit të Vizave.
Biseduam mbi arritjet e Qeverisë sonë nga hera e fundit kur jam takuar virtualisht me znj. Johansson.
Lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i yni andaj në këtë kuptim kam shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet aleate për krijimin e stabilitetit në vendin tonë dhe më gjerë.