Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet e Kosovës janë në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë për çdo hap që marrin.
Sveçla gjatë një intervistë për “Lajmet e Fundit” në RTK të martën mbrëma, ka thënë se s’beson që Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq kanë kapacitete ta sulmojnë Kosovën. Por, shtoi se me një president me mendje të sëmurë, siç e quajti Vuçiqin, gjithçka mund të ndodhë.Sveçla ka thënë se Serbia ka shkaktuar katër luftëra dhe Vuçiq në atë kohë ishte ministër i Propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Sveçla ka shtuar se aleatët ndërkombëtarët kanë qenë të njoftuar për çdo gjë.
“Ne kemi legjitimitet të plotë, duke qenë se janë rrjedhojë e marrëveshjeve të mëhershme. Është qasje normale pasi ka 11 vjet që Serbia i lëshon dokumente hyrje-dalje shtetasve të Kosovës e këtë e bën edhe duke i maltretuar qytetarët”, tha Sveçla.
Ai tha se Kosova bën vlerësimet e duhura dhe ka pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, për ta shtyrë zbatimin edhe një muaj të zbatimit të reciprocitetit.
“Kjo për shkak se ka një luftë të madhe propagandistike që ka shkaktuar huti tek qytetarët serbë të Kosovës. Atëherë ne do të vazhdojmë fushatën informuese dhe këto dezinformata të Serbisë t’i neutralizojmë dhe të vazhdojmë me zbatimin e vendimit më 1 shtator. Ambasadori e ka thënë qartazi këtë”, tha ministri Sveçla.Sipas Sveçlës, nuk ka pasur vullnet politik nga drejtuesit e mëparshëm të Kosovës që reciprociteti të zbatohet, e që pozicioni i Kosovës të ngrihet në nivel të barabartë.“Për mua dhe Qeverinë e Kosovës është shumë më mirë të mos kemi fare kësi letrash, të njihen dokumentet e vendeve respektive”, tha ai.
Sveçla beson se për vetë faktin se ka mbështetje edhe nga vendet e Quintit dhe BE-ja, pa rezervë, dëshmon se për nga dokumentacioni nuk ka asgjë të diskutueshme në marrjen e këtyre hapave.
“Ne kemi tentuar në vazhdimësi që në këto takime t’i adresojmë këto gjëra, për zgjidhje të përhershme”.
Sa i përket takimit të radhës në Bruksel, ministri Sveçla tha se kryeministri Kurti e ka bërë publike që do të jetë pjesë e tij.
“Kjo nuk do të thotë se do të diskutohet mbi të drejtën tonë për zbatim të marrëveshjeve. Unë besoj se pala tjetër të kuptojë nevojën për t’i larguar këto pengesa me njohje të dokumenteve”.