Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas procedimit të Ligjit për Zyrtarët Publik nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Tahiri, këtë projektligj e ka quajtur sulm mbi administratën shtetërore dhe “kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në”.
“Duke e lexuar Projektligjin e ri për Zyrtarët Publik, jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike”, ka shkruar ai.
“Ky Projektligj qenka një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil pa përjashtim. Është kundër gjithëçkaje që është arritur me BE-në dhe Sigma në dekadën e fundit”, ka shtuar Tahiri.
Sipas tij, ministri Xhelal Sveçla dëshiron ta bëjë kështu një “fshisë të hekurt kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore”.“Ky Ligj nuk duhet të kalojë, assesi!”, ka shkruar Tahiri.