BKT Superliga e Kosovës do të startojë me xhiron e parë, ku në program janë tri ndeshje mjaftë interesante.
Pas dy muajsh pushim dhe ndeshjeve të klubeve tona ën garat ndërkombëtare, Superliga e Kosovës kthehet në aksion.
Pasi kampioni i Kosovës, Ballkani, këtë javë pushon, shkaku i garave ndërkombëtare dhe ndeshjes me Shkupin në mesjavë, ata nuk do ta bëjnë hapjen e edicionin me Malishevën, pasi ndeshja është shtyrë.
Nënkampioni Drita do të luajë në ‘Riza Lushta’ përballë Trepçës ’89 të kthyer në elitë. Një ndeshje interesante, pasi këto skuadra gjithmonë dinë të zhvillojnë të tilla.
Drita ka ruajtur boshtin e skuadrës së vitit të kaluar, ndërsa Trepça ’89 ka kryer disa lëvizje për të qenë më serioze në elitë. Kjo përballje gjykohet nga Visar Kastrati.
Në ndeshjen tjetër, Dukagjini do ta pres Prishtinën, në stadiumin ’18 Qershori’.
Klinasit pak kanë ndryshuar nga edicioni i shkuar, ndërsa Prishtina ka bërë shumë ndryshime, ndërsa në krye të skuadrës është Ismet Munishi. Kjo përballje i është besuar Mervan Bejtullahut.
Ndeshja tjetër që zhvillohet sot është ajo mes Gjilanit dhe Ferizajt. Gjilanasit me disa ndryshime, pritet të jenë sërish kandidat për titull, ndërsa Ferizaj me ‘brumë vendor’ do të tentojnë ta thonë fjalën e tyre në elitë.
Kjo përballje do të gjykohet nga Alban Shala, ndërsa zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 17:00.