Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me tri ndeshjet hapëse të javës së 29-të kampionale.
Ndeshje interesante pritet të zhvillohen në tri qytete të Kosovës, ndërmjet skuadrave që synojnë garat evropiane dhe atyre që synojnë mbijetesën në elitë, shkruan lajmi.net.
Prishtina është nikoqire e Ferizajt në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ekipi i Debatik Currit synon ta lë prapa humbjen nga Dukagjini javën e kaluar, me Ferizajn që udhëton për befasi.
Gjilani do të vizitojë stadiumin “Liman Gegaj” për t’u ballafaquar me Malishevën e Bylbyl Sokolit.
“Kuqebardhët” që kanë rrezikuar seriozisht pozitën e tretë në tabelë duan vetëm fitore. Për rezultat pozitiv do të hyjnë edhe të besuarit e Sokolit të cilët objektiv kanë mbetjen në elitë.
Takim tjetër do të zhvillohet në Mitrovicë, me Trepçën ’89 dhe Llapin që sfidohen në stadiumin “Riza Lushta”.
Dyja ekipet duan fitore në mënyrë që të grumbullojnë sa më shumë pikë që në fund të kampionatit të arrijnë synimet e tyre.
Të gjitha përballjet do të zhvillohen me fillim nga ora 15:00.